Masat e Riintegrimit nga Institucionet Publike
Regjistrimi Civil
Nëse keni nevojë të regjistroni fëmijën tuaj në zyrën e gjendjes civile apo të pajiseni me dokumente të regjistrit civil ju duhet të:
Informoni Zyrtarin Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK)
Drejtoheni tek zyrat e regjistrimit civil në komunën tuaj për t’u pajisur me dokumente.
Shërbimet Shëndetësore
Ofrohen nga institucionet publike shëndetësore të nivelit parësor, dytësor dhe tretësor si:
Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunën tuaj;
Spitalet Regjionale;
Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Nëse shërbimet e nevojshme mjekësore nuk ofrohen nga këto institucione ju mund të paraqitni kërkesë për:
Kompensimin e shpenzimeve për trajtime mjekësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore deri në 12 muaj pas ardhjes tuaj në Kosovë.
Mbulimin e barnave të cilat nuk janë në listën esenciale të barnave në 12 muaj pas ardhjes tuaj në Kosovë.
Banimi
Nëse jetoni në kushte të vështira socio-ekonomike dhe plotësoni kriteret e përcaktuara me Rregulloren për Riintegrim ju mund të përfitoni:
mbulimin e qirasë për një periudhë deri në 12 muaj;
renovim ose rindërtim të vendbanimit pjesërisht ose plotësisht të shkatërruar;
sigurimin e mobiljeve;
sigurimin e ngrohjes nëse ktheheni gjatë sezonës dimërore.
Shkollimi i fëmijëve
Fëmijët tuaj mund të vazhdojnë menjëherë shkollimin në Kosovë.
Tregoni Zyrtarit Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) që keni fëmijë dhe moshën e tyre
do t’ju referojë në Drejtorinë Komunale të Arsimit për të regjistruar fëmijën tuaj në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Për nevojat e fëmijëve shkollat ofrojnë:
Kurse të gjuhës dhe mësim plotësues për fëmijët e riatdhesuar që kanë nevojë për të ndihmuar integrimin e tyre në sistemin edukativo-arsimor;
Vlerësim të njohurive të nxënësit nëse u mungon dokumentacioni shkollor;
Konsultime me pedagogun apo psikologun e shkollës.
Punësimi dhe Trajnimi
Zyrtari Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) do të ju referojë në Zyrën e Punësimit në Komunën tuaj për:
Mundësitë e punësimit;
Mundësitë e aftësimit profesional, trajnim në punë, subvencionim në punësim.
Mundësitë për vetëpunësim dhe promovim të ndërmarrësisë (grante).
Asistenca Sociale
Nëse jeni në gjendje të rëndë socio-ekonomike
Qendra për Punë Sociale në Komunën tuaj bën vlerësimin e nevojave të familjes për të vendosur nëse mund të përfitoni nga shërbimet psiko-sociale dhe asistenca sociale
Asistenca emergjente sigurohet nga Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve (DRPRIH) menjëherë pas kthimit të personit (familjes) të riatdhesuar, bazuar në vlerësimin e nevojave.
Pas vlerësimit të nevojave, menjëherë pas kthimit personat e riatdhesuar mund të përfitojnë një pako 3-mujore (ushqimore, higjienike dhe materiale).
E Drejta e Ankesës: Nëse ju është refuzuar kërkesa për përfitim, ju keni të drejtë ankese në Komisionin për Ankesa. Ankesën tuaj e dorëzoni në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) në Komunën tuaj.